Dy vite nën drejtimin e Alonsos, shpërthen futbollisti: Zero komunikim, kështu nuk menaxhohet një ekip!

Xabi Alonso
Xabi Alonso

Futbollisti i Bayer Leverkusenit, Jonas Hofmann, ka kritikuar hapur ish-trajnerin e tij, Xabi Alonso, në një intervistë për “Kölner Stadt-Anzeiger”, duke zbuluar prapaskena të tensionuara gjatë kohës së tyre të përbashkët në klub.

Alonso, i cili tani është në krye të Real Madridit, ka drejtuar Hofmann për dy sezone, por marrëdhënia mes tyre duket se ka qenë larg harmonisë.

33-vjeçari, që këtë sezon ka zhvilluar vetëm 690 minuta lojë, duke shënuar 2 gola dhe dhënë 1 asist, ka shprehur zhgënjimin për minutat e pakta në fushë dhe sidomos për mungesën e komunikimit me trajnerin bask.

“Nëse ai do të kishte qëndruar, unë do të kisha kërkuar largimin,” u shpreh Hofmann, duke treguar qartë pakënaqësinë. “Pres nga një trajner të më thotë hapur nëse diçka nuk shkon. Më duhet komunikim i drejtpërdrejtë”, theksoi ai, duke vënë në dukje preferencën e Alonsos për talentin e ri Florian Wirtz.

Sipas Hofmann, një trajner i mirë nuk është vetëm strateg, por duhet të dijë të ndërtojë marrëdhënie të shëndosha me lojtarët: “Nuk duhet të kalojnë më shumë se dy javë pa shkëmbyer disa fjalë me lojtarët. Kjo i ndihmon ata të mbeten të motivuar dhe të japin maksimumin në stërvitje.”

Me ardhjen e Erik ten Hag në pankinën e Leverkusenit, Hofmann shpreson të rifillojë nga e para dhe të rigjejë hapësirat që i munguan në epokën e Alonsos.

Jonas Hoffman
Jonas Hofmann