Vllaznia ka shkruar një tjetër faqe emocionuese në historinë e saj europiane, duke përmbysur disavantazhin ndaj Dugavpils në Letoni dhe duke siguruar kualifikimin për në turin e dytë të Ligës së Konferencës.
Pas humbjes 0-1 në Elbasan, kuqeblutë triumfuan 2-4 në Riga, me Esat Malën që doli në skenë si heroi i madh i mbrëmjes, por edhe i riu Kevin Dodaj, kishte paraqitje briliante.
Skuadra e drejtuar nga Edi Martini e nisi ndeshjen me vendosmëri dhe kaloi në epërsi në minutën e 22-të me golin e Mensah. Por në harkun e dy minutave, vendasit përmbysën rezultatin në 2-1, duke rritur tensionin.
Shkodranët reaguan shpejt dhe barazuan me golin e Yagos në fundin e pjesës së parë. Në pjesën e dytë, kur duhej më së shumti, Vllaznia shkëlqeu: Dodaj shënoi në minutën e 74-të për 2-3, duke rikthyer barazinë në rezultatin e përgjithshëm.
Por ishte Esat Mala ai që vulosi gjithçka. Në minutën e 87-të, mesfushori kuqezi realizoi golin vendimtar për 2-4, duke siguruar kualifikimin e merituar të Vllaznisë në raundin tjetër.
Tani, skuadra shkodrane pret fituesin e përballjes mes Vikingur Reykjavik dhe Malishevës. Nëse kosovarët arrijnë të përmbysin humbjen e parë, atëherë në turin e dytë mund të kemi një përballje të zjarrtë shqiptare.