Gazetarët Lumi dhe Llumnica të bindur: Ibrahimoviqi dhe Ramaj drejt Kombëtares së Kosovës

Në emisionin sportiv “Favorit” të transmetuar mbrëmë, gazetarët Alban Lumi dhe Ejup Llumnica, të njohur për afërsinë me Federatën e Futbollit të Kosovës, janë shprehur të bindur se Diant Ramaj dhe Arijon Ibrahimoviqi do t’i bashkohen ekipit kombëtar të Kosovës për ndeshjet e nëntorit kundër Sllovenisë dhe Zvicrës.

Megjithatë, këto deklarata vijnë në kundërshtim me qëndrimin e menaxherit të Ramajt, i cili ka mohuar raportimet e mëparshme të gazetarit Ylber Kelmendi. Sipas tij, portieri i lindur në Shtutgart është aktualisht i përqendruar vetëm te skuadra e tij, raportoi gazeta gjermane Bild.

Pavarësisht këtij qëndrimi zyrtar, Lumi dhe Llumnica besojnë se një ftesë nga përzgjedhësi Franco Foda mund të ndryshojë situatën dhe se të dy futbollistët do të jenë pjesë e “Dardanëve” në muajin nëntor.

Si Ramaj, ashtu edhe Ibrahimoviqi janë pjesë e klubit gjerman FC Heidenheim që garon në Bundesligë. Portieri Ramaj është i huazuar nga Borussia Dortmund, ndërsa mesfushori Ibrahimoviq nga Bayern Munich.

Arijon Ibrahimoviq, i lindur në Nuremberg, debutoi me skuadrën e parë të Bayernit në vitin 2023, duke regjistruar dy paraqitje. Ai ka qenë më herët i huazuar edhe te klubet italiane Frosinone dhe Lazio, ndërsa këtë sezon ka zhvilluar tetë ndeshje me Heidenheim — po aq sa edhe Ramaj.

Në të njëjtën skuadër aktivizohet edhe Leart Paqarada, i cili deri më tani ka vetëm një paraqitje në këtë edicion.