Kosova synon rikthimin ndaj Suedisë – Foda dhe Vojvoda: Duhet të tregojmë fytyrë tjetër

Foda - Vjovoda
Foda - Vjovoda

Kombëtarja e Kosovës është gati për ndeshjen e dytë kualifikuese drejt Kampionatit Botëror 2026, ku do të përballet me Suedinë. Para kësaj sfide të rëndësishme, në konferencën për shtyp u paraqitën përzgjedhësi Franco Foda dhe mbrojtësi i majtë Mërgim Vojvoda, të cilët folën për sfidat e kaluara dhe pritshmëritë për ndeshjen e radhës.

Franco Foda: “Kemi analizuar gabimet, tani pres më shumë intensitet”

Trajneri Foda pranoi se ekipi i tij nuk arriti të shfaqte nivelin e duhur në përballjen kundër Zvicrës.

“Ishim të vetëdijshëm se Zvicra ka një ekip shumë të fortë, dhe në një ndeshje të tillë nuk është e lehtë të përmbysësh gjithçka. Nuk arritëm të luajmë lojën tonë, bëmë gabime në mbrojtje dhe nuk ishim të saktë,” tha ai.
“Pas ndeshjes, kemi analizuar çdo gabim në detaje, për çdo lojtar veç e veç. Tani jam i bindur se ndaj Suedisë do të kemi një paraqitje ndryshe – me më shumë intensitet dhe përkushtim. Jemi këtu për të gjetur zgjidhje dhe duam t’i bëjmë krenarë tifozët dhe ‘Dardanët’.”

I pyetur nëse do të ndryshonte diçka nga zgjedhjet apo strategjia ndaj Zvicrës, Foda ishte i prerë:

“Jo, nuk do të ndryshoja asgjë. Besojmë se jemi në rrugën e duhur. Edhe ndaj Islandës kemi përdorur të njëjtët lojtarë, me dy ndryshime Jashari ndaj Rashicës dhe Avdullah në vend të Berishës. Ne kemi qenë të gjithë të bindur që jemi në rrugën e duhur”

Mërgim Vojvoda: “E kemi analizuar Zvicrën – tani është koha për tri pikë”

Mbrojtësi i majtë, Mërgim Vojvoda, theksoi se ekipi është i përqendruar dhe se gabimet e ndeshjes ndaj Zvicrës janë tashmë mësime për të ardhmen.

“Ndeshja në Zvicër është e kaluar. E kemi analizuar mirë dhe do të mundohemi të mos përsërisim të njëjtat gabime. Tani kemi një sfidë të re dhe objektivin e qartë për të marrë tri pikë.”

Vojvoda pranoi cilësinë e kundërshtarit, por tha se Kosova duhet të jetë më e vendosur në fushë:

“Suedia ka lojtarë me shumë përvojë, që kanë marrë pjesë në shumë kompeticione evropiane dhe botërore. Dihet cilësia e tyre, por e rëndësishme është të tregojmë dëshirë dhe përkushtim më të madh.”

Ai shtoi se futbolli me ekipin kombëtar është ndryshe nga ai në klube:

“Janë dy gjëra krejtësisht të ndryshme – nuk punojmë me të njëjtët trajnerë, nuk kemi të njëjtat kërkesa taktike. Por e dimë që kemi humbur tri pikë të rëndësishme dhe duhet të luftojmë për çdo mundësi që kemi.”

Sa i përket mungesës së Amirit, Vojvoda pranoi se ajo do të ndihet, por theksoi rëndësinë e përkrahjes për Kombëtaren:

“Amiri është një lojtar me shumë cilësi dhe do të na mungojë. Por futbolli nuk është vetëm bastore apo vetëm për fitore. Shteti ynë duhet të përkrahet gjithmonë, edhe kur nuk fitojmë.”

“Kam besim të madh tek lojtarët e rinj dhe te përparimi që ka bërë Kosova si ekip duke nxjerr edhe shumë lojtar nga vendi. Pak kush po e sheh këtë zhvillim. Duhet të tregojmë një fytyrë të re dhe të luajmë me më shumë vullnet.”