
Kombëtarja U21 e Kosovës përballet sonte me Spanjën në ndeshjen e dytë të ciklit kualifikues për Kampionatin Evropian 2027. Përballja zhvillohet në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, duke filluar nga ora 19:00.
Pavarësisht se përballë do të jetë një ndër ekipet më të fuqishme të grupit dhe një emër i madh i futbollit evropian, atmosfera në kampin e “Dardanëve të rinj” është pozitive. Optimizmi është rritur pas barazimit pa gola në transfertë kundër Rumanisë në ndeshjen hapëse.
Kosova U21 synon që me një paraqitje të disiplinuar dhe angazhim maksimal të befasojë edhe Spanjën, ndërsa pritet të ketë përkrahje të madhe nga tribunat, pasi hyrja në stadium është e lirë për tifozët.
Deklaratat para ndeshjes
Afrim Tovërlani, trajner i Kosovës U21:
“Është një ndeshje e vështirë – këtë e di edhe opinioni. Spanja është favorite e grupit dhe pjesëmarrëse e rregullt në Evropianë e Botërorë. Por ne nuk jemi këtu për t’u dorëzuar. E kemi analizuar lojën e tyre, veçanërisht pas humbjes ndaj Qipros, dhe do të mundohemi t’i befasojmë.”
Eliot Bujupi, futbollist i Kosovës U21:
“Kemi luajtur mirë ndaj Rumanisë dhe e kemi analizuar në detaje Spanjën. E dimë që përballë kemi një ekip të fortë, por do të luftojmë deri në fund për rezultat pozitiv.”
Laurent Seji:
“Kundër Rumanisë treguam paraqitje të mirë. Spanja është më e fortë, por kemi besim se do të bëjmë edhe më mirë dhe do të arrijmë një rezultat pozitiv.”
Lendrit Shala:
“E dimë si pikat e forta, ashtu edhe të dobëta të Spanjës – por njohim mirë edhe vetveten. Kemi kohë që luajmë bashkë dhe do të hyjmë me energji pozitive për të luftuar për tri pikë.”