Martinez në shënjestër, Interi kalon me vështirësi Cagliarin në transfertë

lautaro martinez
Lautaro Martinez

Inter ka marrë një fitore të vlefshme 2‑0 ndaj Cagliarit në transfertë, duke u ngjitur përkohësisht në nivel pikësh me katër skuadrat e para të Serie A. Lautaro Martinez shënoi që në minutën e nëntë, duke e çuar në 12 numrin e golave ndaj “I Rossoblu” në po aq ndeshje.

Ndeshja nisi me një ton agresiv nga të besuarit e Simone Inzaghit. Vetëm dy minuta pas startit, Hakan Calhanoglu dha sinjalin e parë me një duel të fortë ajror, duke treguar se Interi nuk kishte ardhur për “formalitet”. Ata ushtruan presion konstant në gjysmën fushës së Cagliarit dhe u shpërblyen herët.

Në minutën e 9‑të, një kros elegant nga Bastoni në zonë u finalizua me kokë nga kapiteni Lautaro Martinez, duke kaluar zikaltrit në avantazh.

Cagliari u përpoq të reagonte, por Sebastiano Esposito shpërdoroi një goditje dënimi në pozicion të favorshëm. Përpjekjet për të ndërtuar aksione rezultuan të kota për shkak të gabimeve në mesfushë nga Michael Folorunsho dhe Alessandro Deiola. Ndërkohë, Martínez dhe Thuram vazhduan të krijonin rrezik te porta e vendasve, por pa sukses shtesë deri në pushim.

Pjesa e dytë nisi me më shumë vendosmëri nga Cagliari, por Interi ruajti qetësinë dhe vazhdoi të impononte lojën. Në minutën e 63‑të, Calhanoglu goditi portën, por topi u përplas në shtyllë. Vetëm pak minuta më pas, Marcus Thuram pati një rast të artë për golin e dytë, por portieri Elia Caprile bëri një pritje spektakolare.

Cagliari tentoi të reagojë me disa zëvendësime dhe një goditje me kokë nga Folorunsho që përfundoi në shtyllë, por nuk arriti të ndryshonte rrjedhën e lojës.

Në fund, fitorja u vulos nga talenti Francesco Pio Esposito, i cili realizoi golin e parë në Serie A, duke përfituar nga lodhja mendore dhe fizike e vendasve.

Ndeshja u dirigjua në mënyrë të shkëlqyer nga mesfushori Henrikh Mkhitaryan. Kjo ishte vetëm fitorja e katërt e Interit në 11 ndeshjet e fundit jashtë fushe, ndërkohë që ndaj Cagliarit kanë vetëm një humbje në 16 përballjet e fundit në kampionat (13 fitore, 2 barazime, 1 humbje).