
Kombëtarja e Zvicrës po përgatitet për njërën nga sfidat më të vështira të kualifikimeve për Kupën e Botës 2026, teksa udhëton drejt Stokholmit për t’u përballur me Suedinë.
Edhe pse skandinavët nuk kanë pasur një nisje bindëse në këtë fushatë, kapiteni Granit Xhaka ka kërkuar përqendrim maksimal nga bashkëlojtarët e tij, duke paralajmëruar për fuqinë dhe potencialin e kundërshtarit.
“Suedisë nuk i ka ecur mirë në fillim, ndoshta jo ashtu siç kanë pritur vetë dhe të tjerët. Por kur sheh me kujdes ekipin e tyre, e kupton që cilësia është aty,” – deklaroi Xhaka për Blick.ch.
“Na pret një ndeshje shumë e vështirë jashtë fushe, një super-sfidë për ne si skuadër.”
Skuadra suedeze mbështetet te një treshe sulmuese me vlerë mbi 273 milionë euro: Viktor Gyökeres, Anthony Elanga dhe Alexander Isak – emra të njohur të Premier Leagues dhe futbollit evropian. Edhe pse ky repart nuk ka shkëlqyer në ndeshjet e para, Xhaka ka theksuar se rreziku i tyre mbetet real.
Edhe trajneri i Zvicrës, Murat Yakin, ka folur me respekt për kundërshtarin, por ka kërkuar ekuilibër mes mbrojtjes dhe sulmit:
“Sulmues të tillë duhet t’i mbash gjithmonë në vëzhgim. Janë lojtarë që ndoshta nuk i sheh shumë gjatë lojës, por në një moment të vetëm mund të bëjnë diferencën,” – tha Yakin për mediat zvicerane.
Vëmendje të veçantë merr Viktor Gyökeres, i cili shkëlqeu me Sporting Lisbonën, ku kontribuoi në mbi 125 gola dhe asistime në 102 ndeshje, para se të transferohej te Arsenali. Ish-kapiteni i londinezëve, Xhaka, e njeh mirë profilin e tij:
“E dimë që duhet të luajmë me zgjuarsi. Ai është një lojtar që nuk fal, prandaj duhet të jemi të përqendruar në çdo moment.”
Megjithatë, Yakin nuk shfaqet i frikësuar, duke kujtuar se Zvicra ka përballuar më parë sulmues të klasit të lartë si Vedat Muriqi (Kosovë) dhe Benjamin Šeško (Slloveni) në ndeshjet e shtatorit.
“Në fund të fundit, rëndësi ka të gjejmë ekuilibrin e duhur. Nuk mjafton vetëm mbrojtja apo vetëm sulmi – duhet të shohim të gjithë pamjen e ndeshjes,” – përfundoi tekniku zviceran.