Nga një fshat me 800 banorë në majën e futbollit suedez – Mjallby po shkruan historinë

Stadiumi i Mjallby
Stadiumi i Mjallby

Në një kohë kur shumica e kampionateve europiane sapo kanë nisur, në Suedi gara për titull ka hyrë në fazën vendimtare. Dhe kryesimin nuk e mban ndonjë nga klubet e mëdha të vendit, por një emër thuajse anonim për publikun e gjerë – Mjällby AIF, skuadër nga një fshat me vetëm 800 banorë.

Ekip i vogël, ëndërr e madhe

Mjällby vjen nga fshati Hällevik në jug të Suedisë, një zonë bregdetare ku vizitorët udhëtojnë përmes fermave dhe porteve peshkimi, për të mbërritur në stadiumin modest të klubit. “Kur kundërshtarët na vijnë për ndeshje, autobusi kalon përmes fermave, kalon peshkatarët, dhe kur s’ka më rrugë përpara – janë te ne”, thotë drejtori sportiv Hasse Larsson për The Guardian, përcjellë Kërlaçki.

Deri në vitin 2018, Mjällby ishte në ligën e tretë. Por brenda dy sezoneve arriti dy promovime radhazi dhe që prej vitit 2020 luan në elitën e futbollit suedez, Allsvenskan.

mjallby
mjallby

Një skuadër me vlerë modeste që po dominon kampionatin

Sipas Transfermarkt, vlera totale e ekipit është 15.7 milionë euro, e në mesin e 16 skuadrave të kampionatit renditet e nënta. Për krahasim, Malmö vlen mbi 40 milionë euro, Hammarby mbi 30, ndërsa Djurgården rreth 25 milionë. Megjithatë, Mjällby është lider i kampionatit pas 20 javësh, me 47 pikë, pesë më shumë se Hammarby dhe plot 11 përpara Malmös.

Bilanci është mbresëlënës: vetëm një humbje, 14 fitore dhe 5 barazime, me golaverazh 39:16 – sulmi dhe mbrojtja më e mirë në ligë.

anders torstensson
anders torstensson

Trajneri? Një drejtor shkolle 59-vjeçar

Trajneri i kësaj suksesi të jashtëzakonshëm është Anders Torstensson, një ish-lojtar i ri i klubit në vitet ’80, që më pas u largua për në ushtri. Pas kthimit, punoi si drejtor shkolle dhe paralelisht drejtonte ekipe amatore. Në 2007-ën iu bashkua Mjällby si ndihmës-trajner dhe në 2013 mori drejtimin e parë të ekipit – por vetëm ai dhe ndihmësi i tij ishin të punësuar me kohë të plotë.

“Mjeku ishte mësues, trajneri i portierëve vinte dy herë në javë, dhe ushqimin e përbashkët e kishim vetëm një herë në javë, të enjten pas stërvitjes”, kujton Torstensson.

Pas një rënie të dyfishtë nga elita, Torstensson u largua dhe u kthye në jetën civile, por në vitin 2023 u rikthye – i sëmurë me leuçemi kronike, por i vendosur për ta çuar klubin drejt lavdisë.

hasse larsson
hasse larsson

Presidenti dhe drejtori sportiv – të sëmurë por të palëkundur

Drejtori sportiv Hasse Larsson, që është pjesë e klubit prej 50 vitesh, ka luftuar me tumor në tru dhe kancer të prostatës, ndërsa Torstensson me leuçemi. Të dy i kanë tejkaluar sfidat personale për të udhëhequr këtë histori suksesi.

“U desh kohë për t’u rikuperuar, por unë jam nga ata që luftojnë deri në fund”, thotë Larsson.

Ekip me anonimë dhe lojtarë nga rrugicat e futbollit

Lojtari më i shtrenjtë i ekipit është Elliot Stroud (2.5 milionë euro), i ardhur nga liga e tretë. Kapiteni, Jesper Gustavsson, është produkt i klubit dhe nuk është larguar as në ditët më të vështira. Golashënuesi më i mirë, Abdoulie Manneh (6 gola), ka ardhur si lojtar i panjohur nga Gambia.

Skautingun e bën Arvid Franzen, një punonjës poste që jeton 6 orë larg, ndërsa ndihmësi i trajnerit është një 35-vjeçar norvegjez pa përvojë në futboll profesionist.

David kundër Goliasit – dhe Davidi po fiton

“Jemi ende një klub shumë i vogël, por kemi zemër të madhe. Jemi krenarë që vëmë në jetë mentalitetin e Davidit kundër Goliasit”, thotë Torstensson.

Përpara tyre janë edhe 10 ndeshje deri në fund, por kjo skuadër e përbërë nga mësues, postierë, të mbijetuar nga sëmundjet dhe lojtarë pa emër, po synon të bëjë historinë – dhe ndoshta ta ndryshojë përgjithmonë hartën e futbollit suedez.