Nuhiu: Në derbi duhet të shfrytëzosh edhe gjysmë rasti, këtë edicion synojmë titullin ose Kupën!

Ardian Nuhiu
Ardian Nuhiu

Trajneri i Gjilanit, Ardian Nuhiu, ka ndarë mendimet e tij në një prononcim për “Kërlaçki.com” pas barazimit 1:1 ndaj Ballkanit, në kryendeshjen e xhiros së parë të Superligës së Kosovës.

Ai u shpreh i kënaqur me lojën e skuadrës, por tha se ekipi duhet të jetë më konkret para portës.

“Padyshim që ishte një ndeshje e vështirë, kishim përballë Ballkanin, dihen kualitetet e tyre. Dua t’i përgëzoj futbollistët e mi sepse vërtet bëmë një ndeshje të mirë”, deklaroi Nuhiu për “Kërlaçki.com” pas takimit.

“Përpos që realizuam, në një derbi të tillë duhet të shfrytëzosh edhe gjysmë rasti, e kur nuk i shfrytëzon raste të tilla, vjen dënimi. Jam i kënaqur me angazhimin dhe me mënyrën si kemi luajtur, si kemi shkuar te porta, e po ashtu edhe me disiplinën taktike”, shtoi ai.

Në lidhje me objektivat e sezonit, Nuhiu deklaroi kështu:

“Për ne është e rëndësishme ta kthejmë skuadrën në Evropë, por Evropa do të jetë më e bukur me ndonjë trofe. Do të luftojmë deri në fund për të gëzuar të gjithë me një trofe, qoftë titulli apo Kupa e Kosovës”, përfundoi trajneri i Gjilanit.

Vendësit kaluan në epërsi me golin e Aganspahiq nga penalltia, ndërsa mysafirët fituan një pikë falë golit të jashtëzakonshëm të Ismajlgecit.

Gjilani-Ballkani 1:1
Gjilani-Ballkani 1:1