Të martën, basketbolli kosovar pritet të përjetojë dy sfida të forta ndërkombëtare, në kuadër të FIBA Europe Cup dhe ENBL, ku skuadrat vendore do të përballen me dy emra të njohur të basketbollit kroat.
Bashkimi – Cibona: Prizrenasit në kërkim të fitores së parë në Evropë
Skuadra e Bashkimit do të presë gjigantin kroat Cibona Zagreb në palestrën “Sezai Surroi”, në kuadër të FIBA Europe Cup. Kjo është ndeshja e katërt për prizrenasit në Grupin J, ku deri më tani nuk kanë arritur të regjistrojnë fitore. Megjithatë, paraqitja e fundit ndaj ekipit francez Dijon ka ngjallur optimizëm, pasi Bashkimi u mposht vetëm pas vazhdimeve.
Në ndeshjen e parë kundër Cibonës, e zhvilluar në Zagreb, Bashkimi u mposht me rezultatin 93-79. Tashmë, sfida e kthimit në shtëpi shihet si mundësi për të treguar forcën që e ka karakterizuar skuadrën në kampionatin vendor, ku kanë një bilanc të përsosur, përfshirë fitoret kundër rivalëve direktë si Trepça dhe Prishtina.
Cibona kryeson Grupin J me tri fitore në po aq ndeshje, ndërsa Reggiana ndjek me dy fitore. Dijoni mban vendin e tretë, me një fitore pikërisht ndaj Bashkimit. Ndërkohë, në kampionatin kroat, Cibona po kalon një formë më të zbehtë, duke u renditur në vendin e nëntë me dy fitore dhe tri humbje.
Ndeshja Bashkimi – Cibona do të luhet të martën, më 5 nëntor, nga ora 19:00 në palestrën “Sezai Surroi” në Prizren.
Prishtina – Dinamo Zagreb: Kryesuesit e ENBL presin sfidën e radhës
Po të martën, po ashtu nga ora 19:00, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve, Prishtina do të presë Dinamo Zagrebin në kuadër të ENB Ligës. Kryeqytetasit kanë nisur sezonin në mënyrë të shkëlqyer në Grupin B, me tri fitore në po aq ndeshje.
Dinamo Zagreb, që mban këtë emër vetëm prej vitit 2020 (ish-Rudeš), ka zhvilluar vetëm një ndeshje në këtë kompeticion, të cilën e ka fituar. Edhe pse nuk ka shkëlqimin historik të Cibonës, Dinamo është një skuadër në ngjitje, veçanërisht pas mbështetjes nga tifozeria “Bad Blue Boys”.
Në stolin kroatëve është trajneri i mirënjohur kroat, i cili ka një lidhje të veçantë me Kosovën – ka drejtuar përfaqësuesen e Kosovës dhe Prishtinën në sezonin 2018/19, duke lënë mbresa të veçanta në kryeqytet. Në kampionatin kroat, Dinamo renditet në vendin e shtatë me tre fitore dhe dy humbje.
Ndërkohë, në Superligën e Kosovës, Prishtina ka shënuar tri fitore dhe ka pësuar një humbje – pikërisht ndaj Bashkimit në Prizren.
Të dyja përballjet e së martës pritet të ofrojnë spektakël sportiv dhe janë një mundësi e artë për basketbollin kosovar që të dëshmojë vlerat e veta në skenën ndërkombëtare.
Kurse, të mërkurën në “Minatori”, Trepça pret PAOK-un e Greqisë po në FIBA Europa Cup nga ora 18:30.