
Victor Osimhen (26), reprezentuesi i Nigerisë, më në fund ka përfunduar aventurën e tij me Napolin. Pas negociatave që zgjatën pothuajse që nga fillimi i afatit kalimtar, Galatasaray ka arritur të mbyllë transferimin e sulmuesit nigerian.
Sipas të përditshmes italiane Gazzetta dello Sport, përcjellë Kërlaçki, “drama” e gjatë e transferimit të Osimhen ka marrë fund, pasi Napoli dhe Galatasaray kanë arritur një marrëveshje me vlerë 75 milionë euro. Kjo marrëveshje i jep fund një marrëdhënieje të tensionuar mes lojtarit dhe klubit italian.
Galatasaray do të paguajë menjëherë 40 milionë euro, ndërsa 35 milionët e mbetura do të derdhen deri në vitin 2026. Marrëveshja përfshin edhe një klauzolë kyçe, Osimhen nuk mund të shitet te asnjë klub italian për dy vitet e ardhshme.
Victor Osimhen shkëlqeu në sezonin 2024/25 me Galatasaray
Nigeriani ka përjetuar një sezon spektakolar me Galatasarayn, duke konfirmuar vlerën e tij si një nga sulmuesit më të rrezikshëm në Evropë. Në kampionatin turk, ai zhvilloi 30 ndeshje, ku realizoi 26 gola dhe dha 5 asistime, duke u shpallur golashënuesi më i mirë i Super Ligës turke. Me një mesatare prej 1.18 golash dhe asistimesh për 90 minuta dhe me 49.6% të goditjeve në portë, Osimhen tregoi efikasitet të jashtëzakonshëm në çdo paraqitje.
Në të gjitha kompeticionet, përfshirë Kupën e Turqisë dhe arenën europiane, Osimhen shënoi 37 gola dhe dha 8 asistime në 41 ndeshje, duke vendosur një rekord personal dhe një ndër më të mirët në historinë e klubit. Ai ishte protagonist absolut edhe në finalen e Kupës së Turqisë, ku realizoi dy gola ndaj Trabzonsporit dhe u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes.
Statistikat e avancuara e vendosin Osimhenin në nivelin e elitës europiane.