Tensionet në Skenderaj po thellohen mes klubit të futbollit Drenica dhe tifogrupit të saj kryesor, “Shqiponjat e Zeza”. Pas bojkotit të paralajmëruar nga tifozët kuqezi, klubi ka dalë me një reagim të vonë, duke e cilësuar deklaratën e tyre si tendencioze dhe dashakeqe.
Në reagimin zyrtar, FC Drenica thekson:
“Deklarata e publikuar nga një grup i caktuar tifozësh është tendencioze, dashakeqe dhe aspak e rastësishme. Qëllimi i saj është i qartë: të dëmtojë klubin në prag të ndeshjeve të rëndësishme. Kryesia, kryetari dhe zëvendëskryetari i klubit janë 100% pas trajnerit Bylbyl Sokoli dhe lojtarëve tanë. Për herë të parë, FC Drenica ka një kryesi të fortë, që nuk lejon ndërhyrje nga jashtë, gjë që nuk u pëlqen disa personave me synime të këqija. Ne e bëjmë të qartë se nuk i marrim për bazë reagime të orkestruara, të cilat nuk përfaqësojnë vullnetin e tifozëve të vërtetë të Drenicës. Klubi vazhdon rrugëtimin e tij me unitet, përkushtim dhe besim të plotë në stafin dhe futbollistët tanë.”
Nga ana tjetër, tifo-grupi “Shqiponjat e Zeza” ka reaguar ashpër, duke paralajmëruar bojkot deri në largimin e trajnerit Bylbyl Sokoli.
Në deklaratën e tyre ata kanë theksuar:
“Ne, tifogrupi Shqiponjat e Zeza, njoftojmë se do të qëndrojmë në bojkot deri në shkarkimin e trajnerit Bylbyl Sokoli. Përveç mungesës së rezultateve, ai ka treguar arrogancë edhe jashtë fushe, duke mos respektuar as tifozët, as lojtarët. Në ndeshjen e fundit nuk i lejoi futbollistët të kërkonin falje për rezultatet, një veprim i papranueshëm për ne. Kërkojmë nga klubi që të reagojë pa vonesë, përndryshe përgjegjësia për hapat tanë të mëtejshëm bie mbi ta.”
Përplasja mes palëve vjen në prag të ndeshjes së mbetur të javës së dytë, ku Drenica sot do të përballet me kampionin aktual, Dritën, në Gjilan.