
Barcelona vendos rregull të ri të rreptë pas skandalit të Yamalit duke miratuar një rregull të ri të rreptë brenda skuadrës, dhe shkak për këtë është bërë Lamine Yamal dhe festa e tij kontraverse, raporton gazeta spanjolle Sport. Trajneri gjerman Hansi Flick, i cili verën e kaluar mori drejtimin nga Xavi Hernandez, kishte prezantuar dhjetë rregulla të forta disiplinore, por tani ka shtuar edhe një tjetër: ndalimi i organizimit të festave pa lejen e tij paraprake.
Flick tashmë kishte vendosur një sërë rregullash për sjelljen e lojtarëve, por rasti i Yamalit – i cili organizoi një festë ku ishin të pranishme vajza dhe persona me shtat të shkurtër – e detyroi të ndërhyjë sërish. Festa u zhvillua në një vilë luksoze në Olivella, me rastin e ditëlindjes së 18-të të Yamalit, dhe u bë një nga temat më të diskutuara të verës në Barcelonë.
Çfarë parashikon rregulli i ri?
Çdo festë e organizuar nga lojtarët duhet të njoftohet dhe të marrë miratimin e trajnerit. Gjithashtu, lojtarët janë të detyruar të jenë më diskretë në rrjetet sociale dhe të përqendruar maksimalisht në futboll.
Rregullat e Flick në Barcelonë
Që në ardhjen e tij, Flick aplikoi një regjim të rreptë disipline. Lojtarët duhet të paraqiten në stërvitje 90 minuta përpara, të kontrollojnë përditë peshën trupore dhe të hanë bashkë në mensën e klubit. Në ditën e ndeshjes bëjnë një seancë të lehtë në mëngjes dhe më pas grumbullohen në hotel para nisjes për në stadium.
Pas ndeshjeve jashtë fushe, kthimi në shtëpi nuk lejohet – të gjithë qëndrojnë në hotel për pushim dhe rikuperim. Kushdo që shkel këto rregulla, përjashtohet automatikisht nga ndeshja e ardhshme.
Çfarë ndodhi në festën e Yamalit?
Edhe pse detajet e plota të festës mbeten të paqarta, mediat raportojnë se kishte një performancë nga reperi dominikan Chimbala, një “dress code” me temë mafioze, vajza të paguara për të qenë të pranishme dhe praninë kontraverse të argëtuesve me shtat të shkurtër.
Shoqata e personave me akondroplazi dhe displazi të tjera skeletike (ADEE) e dënoi publikisht përdorimin e personave me shtat të shkurtër si pjesë e programit argëtues, duke e quajtur fyes për dinjitetin e tyre dhe paralajmëroi hapa ligjorë.
Refuzimi i një ish-miss-i për të marrë pjesë
Claudia Calvo, e shpallur “Miss Teenager Spain 2021” dhe “Miss Teenager Europe 2022”, deklaroi se kishte refuzuar ftesën për të marrë pjesë në festë. Ajo u kontaktua për të sjellë 12 vajza, ku përzgjedhja bazohej vetëm në pamjen fizike. “U fokusuan te madhësia e gjoksit dhe ngjyra e flokëve”, deklaroi ajo. Vajzat ishin të paguara dhe iu dha një kartë për shpenzime personale.
“Sapo të dorëzohet karta, nuk e di më se në çfarë po futesh dhe çfarë pritet nga ty”, tha Calvo, duke shtuar se bëhej fjalë për shuma që varionin nga 10.000 deri në 20.000 euro.