Roma përforcohet ndjeshëm: Ghilardi i pesti, ja kush janë blerjet e tjera të verës

Daniele Ghilardi

Klubi italian i Romës vazhdon të jetë shumë aktiv në merkaton e verës, duke zyrtarizuar së fundmi transferimin e mbrojtësit Daniele Ghilardi.

Ish-lojtari i Veronës ka nënshkruar kontratë deri në verën e vitit 2030 dhe transferimi i tij ka kushtuar rreth 11 milionë euro. Ghilardi është përforcimi i pestë i verdhekuqve këtë afat kalimtar.

Para tij, Roma kishte zyrtarizuar katër përforcime të tjera të rëndësishme.

Wesley França

Mbrojtësi i djathtë brazilian u transferua nga Flamengo për 25 milionë euro plus bonuse deri në 5 milionë euro. 21-vjeçari ka mbi 100 ndeshje me ekipin e parë të klubit brazilian dhe konsiderohet si një investim afatgjatë për mbrojtjen e Romës.

Neil El Aynaoui

Mesfushori francezo-maroken, i ardhur nga Lens, i kushtoi Romës rreth 23.5 milionë euro. Ai shkëlqeu sezonin e kaluar në Ligue 1 duke shënuar 8 gola dhe do të sjellë kreativitet dhe balancë në mesin e fushës së skuadrës së Gasperinit.

Evan Ferguson

Sulmuesi premtues irlandez iu bashkua Romës në formë huazimi nga Brighton, me një tarifë rreth 3 milionë euro dhe një klauzolë blerjeje që kap shifrën e 37–40 milionë eurove. Ai shihet si një sulmues që mund të rilindë karrierën në Itali pas një sezoni të zbehur në Premier League.

Devis Vasquez

Portieri kolumbian u bashkua me Romën si lojtar i lirë, pas një eksperience të mirë me Empolin ku ishte huazuar nga Milan. Vásquez pritet të jetë një alternativë cilësore në portë dhe të rrisë konkurrencën në repartin e gardianëve.

Përmes këtyre përforcimeve, Roma po demonstron një qasje të qartë drejt rinovimit të skuadrës me elementë të rinj, të talentuar dhe me potencial të madh. Objektivi është ndërtimi i një bërthame konkurruese për sezonet në vijim, ndërkohë që trajneri Gian Piero Gasperini po kërkon të implementojë stilin e tij me një grup të përzgjedhur lojtarësh.

Merkatoja e verdhekuqve nuk duket se ka përfunduar, pasi klubi vazhdon të vëzhgojë tregun për përforcime të tjera të mundshme, sidomos në mesfushë dhe sulm.