
Leard Sadriu vazhdon formën e mirë në Rumani. Mbrojtësi 24-vjeçar kontribuoi me gol të dielën në fitoren 2:0 të skuadrës së Argeșit në udhëtim ndaj Clujit, në kuadër të javës së tretë të Superligës së Rumanisë.
Sadriu realizoi me kokë nga afërsia në minutën e 53-të, duke shënuar golin e dytë të takimit.
Ai e kompletoi ndeshjen dhe ishte ndër më të dalluarit në fushë.
Për Clujin, në pjesën e dytë u aktivizua Meriton Korenica, ndërsa mungoi për shkak të lëndimit Lindon Emërllahu.
Ky ishte goli i dytë radhazi për Sadriun, i cili shënoi edhe javën e kaluar në disfatën ndaj Universitatea Craiova.
Ai iu bashkua Argeșit gjatë afatit kalimtar të verës nga skuadra sllovene, Mura.
Sadriu është ftuar herë pas here edhe nga Kombëtarja e Kosovës.