Shumë futbollistë të Kosovës kanë lidhje të forta me Zvicrën, disa madje kanë lindur atje. Të premten ata do të përballen me “atdheun e dytë”, por vetëm një pjesë e tyre do ta nisin ndeshjen nga minuta e parë, shkruan Blick-u zviceran, përcjellë Kërlaçki.
Lidhjet e forta mes futbollit dhe diasporës
Rreth 200 mijë persona me origjinë nga Kosova jetojnë në Zvicër. Disa prej tyre janë bërë emra të mëdhenj të futbollit, si Granit Xhaka dhe Xherdan Shaqiri, që prej më shumë se dhjetë vitesh janë shtylla të kombëtares helvetike.
Edhe kundërshtari i Zvicrës në kualifikueset e Botërorit, Kosova, ka lojtarë me lidhje të forta me këtë vend. Shembulli më i fundit është Leon Avdullahu (21), i cili pak ditë më parë vendosi të mos luajë për Zvicrën – ku ka lindur dhe është rritur – por për Kosovën.
“Si trajner i Kosovës, jam shumë i lumtur që gjithnjë e më shumë lojtarë po zgjedhin Kosovën. Kjo tregon se këtu është ndërtuar diçka serioze gjatë vitit të fundit,” deklaroi Franco Foda (59).
Avdullahu do të formojë dyshe në mesfushë me Veldin Hoxha (22), i cili gjithashtu zgjodhi Kosovën përpara Kroacisë.
“Ata luajnë në qendër, zemra e ekipit. Mund të bëhen legjenda të Kosovës,” shtoi Foda, që pati një periudhë të shkurtër si trajner i FC Zürich në verën e vitit 2022.
Lojtarë me rrënjë zvicerane
Avdullahu dhe Foda nuk janë të vetmit me lidhje me Zvicrën. Portierët Amir Saipi (25) dhe Arijanet Muric (26) kanë lindur në Zvicër. Saipi, i rritur në Schaffhausen dhe aktualisht lojtar i Lugano-s, ka luajtur disa ndeshje me ekipet e të rinjve të Zvicrës, por vendosi të përfaqësojë Kosovën për shkak të mungesës së hapësirës në kombëtaren A. Muric, që kaloi te Manchester City në moshën 16-vjeçare, kishte luajtur më parë për Malin e Zi në grupmoshat e reja.
Mbrojtësi Fidan Aliti (31), i lindur në Binningen BL, është i njohur te FC Zürich, ku ishte pjesë e ekipit kampion në vitin 2022. Në atë skuadër ishte edhe Bledian Krasniqi (24), i lindur në Zürich dhe ende pjesë e FCZ-së, por këtë herë është vetëm në listën rezervë, bashkë me Donat Rrudhani dhe Kreshnik Hajrizi (të dy 26), lojtarë të Sion-it.
Mungesat: Hadergjonaj dhe Zhegrova
Florent Hadergjonaj (31) mungon për shkak të një dëmtimi të pësuar në ndeshjen e fundit me Alanyaspor. Mbrojtësi nga Langnau im Emmental jo vetëm që është rritur në Zvicër, por ka luajtur edhe një miqësore për kombëtaren helvetike.
Gjithashtu do të mungojë edhe ylli i Kosovës, Edon Zhegrova (25). Mesfushori ofensiv, i rritur në Gjermani, ka luajtur për FC Basel nga 2019 deri në 2022. Para disa ditësh, Juventus njoftoi transferimin e tij nga Lille, por lojtari nuk ka luajtur ende këtë vit për shkak të dëmtimeve.