Vushtrria bindëse ndaj Kikës, Dallku ia dedikon fitoren Erijon Morinës

Armend Dallku
Armend Dallku

Skuadra e Vushtrrisë ka shënuar fitoren e parë në kampionat, duke mposhtur bindshëm Kikën me rezultat 3-0 në stadiumin “Ferki Aliu”. Pas barazimit në ndeshjen hapëse ndaj Besës në Pejë, ekipi i drejtuar nga trajneri Armend Dallku u rikthye me një paraqitje të fortë para tifozëve të vet, ndërsa është prononcuar ekskluzivisht për Kërlaçkin.

“Fitore e merituar. Ishim të përgatitur maksimalisht për këtë ndeshje, me respekt të plotë për kundërshtarin, duke pasur parasysh se këto ndeshjet e para zakonisht janë më të ndërlikuara, sidomos kur nuk i njeh mirë rivalët”, u shpreh Dallku pas sfidës.

Trajneri i Vushtrrisë vlerësoi edhe mbështetjen e tifozëve, duke theksuar rëndësinë e ditës së veçantë kur tribunës së tifo-grupit “Forca” iu vu emri i ish-futbollistit Erijon Morina.

“Në fushën tonë do të mundohemi të mos lejojmë befasi. Falënderoj të gjithë adhuruesit, sidomos tifozët ‘Forca’. Sot ishte një ditë e veçantë, sepse tribuna mori emrin ‘Erijon Morina’, çka e bëri ndeshjen edhe më emocionuese. Këtë fitore pa dyshim ia dedikojmë Erionit dhe familjes së tij”, tha Dallku, duke kujtuar ish-lojtarin e tij që humbi jetën tragjikisht.

Sa i përket rivalëve në kampionat, trajneri theksoi se është ende herët për të dhënë vlerësime.

“Është fillimi i kampionatit dhe është e vështirë t’i njohim mirë kundërshtarët. Vitin e kaluar kishim liga të ndara, ndërsa tani kemi një ligë unike që ka sjellë shumë ndryshime dhe lëvizje të lojtarëve. Duhet kohë për t’i analizuar secilin”, shtoi ai.

Dallku u shpreh i kënaqur me mënyrën se si nisi sezoni, duke theksuar rëndësinë e vazhdimësisë.

“Jemi shumë të kënaqur me fitoren e sotme. Mund të kishim fituar edhe ndeshjen e parë ndaj Besës, ku patëm shumë raste, por për ne me rëndësi është të ecim ndeshje pas ndeshjeje, të mos fokusohemi te tabela, por të shohim punën tonë dhe të përmirësohemi aty ku është e nevojshme.”

Në fund, Dallku gjeti kohë edhe për një urim për portalin tonë:

“Uroj shumë hapjen e kësaj platforme të re, ‘Kërlaçki’, e cila është mjaft e nevojshme sidomos për Ligën tonë. Ju dëshiroj shumë sukses.”