Lionel Messi

Lionel Messi i surprizoi të gjithë të dielën, më 9 nëntor, me një vizitë të papritur në “Camp Nou”, aty ku shkroi historinë më të lavdishme të karrierës së tij.

Ndërsa Barcelona ndodhej në transfertë përballë Celta Vigos në La Liga, legjenda argjentinase udhëtoi në mënyrë diskrete nga Miami drejt Barcelonës – një udhëtim që kishte kohë që e priste të realizonte.

Sipas gazetës Sport, Messi mbërriti të dielën pasdite me avionin e tij privat. Në vend që të kthehej në vilën e tij në qytet, ai zgjodhi të qëndrojë në një hotel pranë “Camp Nou”.

Ai nuk ishte vetëm – në këtë vizitë intime e shoqëroi një nga miqtë dhe bashkëlojtarët më të afërt në kombëtare, Rodrigo De Paul. Të dy darkuan së bashku, dhe më pas vizituan stadiumin legjendar të Barcelonës, ku Messi u ndal për të parë nga afër punimet e rikonstruksionit dhe për të realizuar disa foto që tashmë janë bërë virale.

Pas vizitës dhe disa orëve pushim në hotel, dyshja u nis për t’u bashkuar me kombëtaren e Argjentinës për ndeshjet ndërkombëtare të muajit nëntor.