
Liverpool e gjeti golin vonë, por mjaftueshëm për të kaluar një Burnley kokëfortë me rezultat minimal 1-0 në Turf Moor, duke vazhduar ecurinë 100% në nisje të sezonit – vetëm hera e tretë në histori që “The Reds” i fitojnë katër ndeshjet e para të një sezoni në Premier League.
🚨🏴 SALAH WINS IT IN THE 95TH MINUTE FOR LIVERPOOL !!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!!
Burnley 0-1 Liverpool.pic.twitter.com/SnS9TQNZ5U
— Tekkers Foot (@tekkersfoot) September 14, 2025
Me tetë gola në tri ndeshje të para, sulmi nuk ka qenë problem për Liverpoolin deri tani. Megjithëse mungonte blerja më e re në repartin ofensiv, Alexander Isak, pjesa e parë doli të jetë shumë më e vështirë nga sa pritej. Burnley u mbrojt me disiplinë dhe tregoi rrezik në tranzicion, me Jaidon Anthony që dërgoi një goditje paralajmëruese mbi traun që në minutat e para.
Tifozët vendas u shfaqën të zëshëm dhe të zemëruar kur gjyqtari Michael Oliver nuk ndëshkoi Alexis Mac Allister, i cili qëndroi i shtrirë për një kohë të gjatë në fushë. Zemërimi u shtua më tej kur Milos Kerkez provoi të fitonte një penallti me një simulim qesharak – për të cilin u ndëshkua me të verdhë dhe më pas u zëvendësua në minutën e 38-të. Ishte hera e parë në karrierën e Arne Slot në Premier League që kryen një zëvendësim taktik para pjesës së parë – një pasqyrë e qartë e paraqitjes së dobët të skuadrës së tij. Tentativat individuale nga Mohamed Salah dhe Hugo Ekitike nuk rrezikuan seriozisht portierin Martin Dúbravka.
Në pjesën e dytë Liverpooli hyri me më shumë vendosmëri. Një volej i fuqishëm nga Ryan Gravenberch dhe më pas një kombinim i dy zëvendësuesve – Conor Bradley dhe Andrew Robertson – që për pak nuk rezultoi në gol, sinjalizuan për ndryshim ritmi. Burnley, që nuk kishte humbur asnjë ndeshje në shtëpi që nga maji 2024 (16 fitore, 9 barazime), nisi të ndjehej nën trysni. Florian Wirtz humbi një rast të mirë, ndërsa Dominik Szoboszlai testoi Dúbravkën nga distanca.
Pavarësisht dominimit në pjesën e dytë, Liverpool nuk po gjente dot rrugën drejt golit – deri në minutat e fundit, kur një prekje me dorë në zonë nga Hannibal Mejbri i dha Salah mundësinë të godiste nga pika e bardhë. Sulmuesi egjiptian nuk fali, duke shënuar golin vendimtar dhe duke çuar në ekstazë tifozët e udhëtimit.
Pavarësisht një paraqitjeje dinjitoze, Burnley regjistroi humbjen e 15-të në 19 përballje ndaj Liverpoolit në Premier League, dhe tashmë numëron tre disfata në katër ndeshjet e para të rikthimit në elitë. Ndërkohë, Liverpooli rikthehet në krye të tabelës, me tre pikë epërsi në këtë fazë të hershme të kampionatit.