Ardon Jashari: më në fund ka përfunduar gjithçka – rrugës për Milan

Jashari
Jashari

Kuqezinjtë kanë arritur një marrëveshje parimore me Club Brugge për kartonin e 23-vjeçarit, në vlerën prej 34 milionë eurosh, plus 3 milionë euro bonuse të lidhura me performancën.

Ardon Jashari
Ardon Jashari

Edhe pse akoma nuk është zyrtarizuar, marrëveshja konsiderohet thuajse e mbyllur. Milani rriti ofertën e tij në fillim të kësaj jave, duke përmbushur kërkesat financiare të klubit belg, çka përshpejtoi bisedimet.

Jashari u fotografua në avionin privat, duke bërë shenjën e miratimit teksa fluturonte drejt Milanos – një tregues i qartë i emocionit dhe pritshmërive të larta për këtë kapitull të ri në karrierën e tij

Jashari pritet të jetë përforcimi i pestë i Milanit këtë verë, pas transferimeve të Luka Modriç, Samuele Ricci, Pervis Estupinan dhe Pietro Terracciano.

Klubi është gjithashtu në bisedime të avancuara për të siguruar shërbimet e Zachary Athekame nga Young Boys, me një ofertë rreth 10 milionë euro që është në diskutim.

Pasi të finalizohen detajet e fundit, Jashari pritet të udhëtojë drejt Milanos për të kryer vizitat mjekësore dhe për të nënshkruar një kontratë pesëvjeçare, me pagë vjetore rreth 2.5 milionë euro (pa përfshirë bonuset).

Me ardhjen e tij, trajneri Massimiliano Allegri do të ketë më shumë thellësi në mesfushë, ku tashmë janë emra si Modric, Ricci, Youssouf Fofana dhe Ruben Loftus-Cheek.

Jashari, që si fëmijë ka ndjekur ndeshje në “San Siro” dhe ka qenë një tifoz i flaktë i Milanit, shihet si një përforcim me potencial të madh dhe përkushtim të sinqertë ndaj klubit.