
Arsenal doli fituese nga përballja ndaj Manchester United me rezultatin minimal 0-1, falë një goli me kokë të Riccardo Calafiorit në minutën e 13-të pas një goditjeje nga këndi.
Ishte një ndeshje me intensitet të lartë, e karakterizuar nga raste të shumta për të dyja skuadrat dhe ndërhyrje të forta, që detyruan arbitrin Simon Hooper të ndëshkonte disa lojtarë me kartonë të verdhë.
Manchester United pati disa mundësi për të barazuar, veçanërisht me goditjet e fuqishme të Matheus Cunha dhe Bryan Mbeumo, por portieri David Raya ishte në lartësinë e duhur me pritje vendimtare. Arsenal pati gjithashtu raste për të dyfishuar rezultatin, por edhe ata u ndalën nga mbrojtja vendase.
Në fund, skuadra e Mikel Artetës ruajti epërsinë dhe mori tri pikë të rëndësishme në transfertë, ndërsa Manchester United do të ketë shumë për të reflektuar, veçanërisht për shfrytëzimin e rasteve dhe disiplinën taktike.
Chelsea 0-0 Crystal Palace
Derbi i parë londinez i sezonit përfundoi pa gola, me Chelsea dhe Crystal Palace që ndanë pikët në një ndeshje ku dominuan taktikat dhe munguan rastet e pastra. VAR anuloi një gol të hershëm të Eberechi Eze për shkak të një pozicionimi të gabuar të kapitenit Marc Guehi. Për Chelsea ishte ndeshja e 17-të radhazi pa humbje ndaj Palace që nga viti 2017 (14 fitore, 3 barazime).
Nottingham Forest 3-1 Brentford
Chris Wood ishte protagonist në fitoren bindëse të Forest ndaj Brentford, në një nisje perfekte të sezonit për skuadrën e Nuno Espírito Santo. Wood shënoi dy herë, ndërsa Ndoye shtoi një tjetër gol në pjesën e parë. Brentford shkurtoi rezultatin me një penallti të Igor Thiago, por ishte shumë vonë për të ndryshuar fatin e ndeshjes.
Rezultatet – Java 1
Chelsea 0–0 Crystal Palace
Nottingham Forest 3–1 Brentford
Manchester United 0–1 Arsenal
Wolves 0–4 Manchester City
Brighton 1–1 Fulham
Sunderland 3–0 West Ham
Tottenham 3–0 Burnley
Aston Villa 0–0 Newcastle
Liverpool 4–2 Bournemouth
Leeds United vs Everton (18 gusht, 20:00)