Cristiano Ronaldo - Georgina Rodriguez

Cristiano Ronaldo ka zbuluar disa nga momentet më intime dhe vendimtare të jetës së tij në një intervistë ekskluzive me gazetarin britanik Piers Morgan, e cila do të transmetohet më 4 nëntor.

Gjatë bisedës, ylli portugez flet për planet për t’i propozuar martesë partneres së tij, Georgina Rodriguez, për tërheqjen nga futbolli, si dhe për momentet e vështira që ka përjetuar në karrierë dhe jetën personale.

Një nga temat që mori vëmendje të veçantë ishte mungesa e Ronaldos në funeralin e ish-shokut të skuadrës, Diogo Jota, i cili humbi jetën në një aksident tragjik. Reagimet për këtë mungesë ishin të shumta, ndërsa motra e futbollistit pati komentuar më herët për presionin mediatik.

Ronaldo nuk shmangu as pyetjet për marrëdhënien me Georginën, duke pranuar se ajo e ka shtyrë të mendojë seriozisht për propozimin. “Është diçka që po e mendoj”, u shpreh ai, duke nënkuptuar se momenti mund të jetë shumë afër.

Në intervistë u diskutua gjithashtu marrëdhënia e tij me klubin Manchester United përpara largimit, si dhe një gjest simbolik ndaj ish-presidentit amerikan Donald Trump, të cilit Ronaldo i kishte dhuruar një bluzë me mbishkrimin “Pray For Peace”.

Në një tjetër paraqitje publike, gjatë ceremonisë së ndarjes së çmimeve “Portugal Football Globe”, Ronaldo foli për presionin nga familja për të ndalur karrierën, por theksoi se nuk ndjehet ende i gatshëm për t’u tërhequr.

“Njerëzit, veçanërisht familja ime, më thonë: ‘Është koha të ndalosh. I ke arritur të gjitha. Pse duhet të shënosh më shumë gola?’ Por unë mendoj se ende mund të kontribuoj, të ndihmoj skuadrën dhe kombëtaren. Pse të ndalem tani?”

“E di që nuk më kanë mbetur shumë vite, por dua t’i shijoj deri në fund. Kur të largohem, do të iki me ndërgjegje të qetë – sepse gjithçka që kam pasur, ia kam dhënë këtij sporti.”

Me 952 gola të shënuar në karrierë, Ronaldo është afër objektivit të tij prej 1000 golash. Ai ka rinovuar kontratën me klubin saudit Al-Nassr deri në vitin 2027, duke treguar se nuk ka ndërmend të ndalet së shpejti.