Crystal Palace befasoi Liverpoolin në “Anfield” me një fitore të thellë 3-0, duke siguruar kalimin në raundin e pestë të Carabao Cup. Me një formacion të mbushur me të rinj, të drejtuar nga trajneri Arne Slot, “The Reds” pësuan humbjen e pestë radhazi. Dy gola nga Ismaila Sarr në pjesën e parë dhe një finalizim i Yeremy Pino në fund vulosën fitoren, ndërsa 18-vjeçari Amara Nallo u ndëshkua me karton të kuq.
Te Arsenal, Max Dowman shkroi historinë si titulluesi më i ri ndonjëherë për klubin, ndërsa goli i Ethan Nwaneri dhe një tjetër nga zëvendësuesi Bukayo Saka i dhanë “Topçinjve” një fitore 2-0 ndaj Brighton në “Emirates”.
Chelsea kaloi një mbrëmje dramatike në “Molineux Stadium”, ku pas një epërsie 3-0 ndaj Wolves, rrezikoi seriozisht eliminimin. Wolves ngushtoi diferencën në 3-2, përpara se Jamie Gittens të realizonte golin e katërt për “Blutë”. Megjithatë, David Moller Wolfe shënoi në kohën shtesë për vendasit, por Chelsea ia doli të mbijetojë me rezultatin 4-3.
Manchester City përmbysi rezultatin ndaj Swanseas me gola të vonshëm nga Omar Marmoush dhe Rayan Cherki, për një fitore 3-1. Ndërkohë, kampionët në fuqi, Newcastle, treguan forcën e tyre me një fitore solide 2-0 ndaj Tottenham, duke vazhduar mbrojtjen e titullit.
Kupa e Ligës Angleze po shndërrohet në një garë gjithnjë e më të paparashikueshme, me disa nga skuadrat kryesore që përballen me sfida të forta edhe ndaj kundërshtarëve më modestë.