Të enjten mbrëma, më 6 nëntor në stadiumin “Tallaght” të Dublinit, Drita do të luajë një nga ndeshjet më vendimtare të këtij edicioni në Ligën e Konferencës. Ballafaqimi ndaj Shelbourneit irlandez, që nis në orën 21:00, shënon sfidën e tretë për skuadrën gjilanase në këtë fazë grupore, pas dy barazimeve kundër KuPSit finlandez dhe Omonias së Qipros.

Drita aktualisht ndodhet në zonën që siguron kalimin në fazën tjetër, prandaj rezultati në Irlandë ka rëndësi jetike. Ndërsa një fitore do të ishte e artë, edhe një barazim do të ishte i vlefshëm për ambiciet e kampionëve tanë.
Në anën tjetër, Shelbourne ka vetëm një pikë në grup, të marrë pas barazimit pa gola në shtëpi ndaj Hakenit të Suedisë, ndërsa është mposhtur 1:0 në udhëtim nga Shkëndija në Shkup.
Historia dhe rikthimi i Shelbourne në arenën evropiane
Shelbourne është një klub me traditë të gjatë në futbollin irlandez dhe evropian. Me 14 tituj kampioni në histori, ai renditet përkrah Dundalkut dhe menjëherë pas Shamrock Rovers, që këtë sezon rifituan titullin dhe regjistruan triumfin e 22-të në histori.
Në arenën ndërkombëtare, Shelbourne ka përballuar emra të mëdhenj si Barcelona, Atletico Madrid, Sporting Lisbona, Rangers, Panathinaikos, Rosenborg, Hajduk Split dhe të tjerë. Debutimi evropian daton në sezonin 1962–63 kundër Sportingut në Kupën e Kampioneve.
Pas një periudhe të suksesshme pjesëmarrjeje në garat evropiane nga viti 1995 deri më 2006, Shelbourne u përball me krizë dhe doli nga renditjet e UEFA-s. Rikthimi ndodhi në sezonin 2024–25, eliminoi Linfield me rezultatin e përgjithshëm 5:1 për të siguruar pjesëmarrjen në fazën e ligës në Conference League.
Tifozët
Baza kryesore e tifozëve të Shelbourne është në veri të Dublinit, megjithëse klubi ka mbështetje edhe nga jugu, veçanërisht në Ringsend, vendi i origjinës. Në vitin 2024, ndeshjet e kampionatit të zhvilluara në shtëpi kishin një mesatare prej 4,269 spektatorësh.
Klubi ka disa grupe të organizuara tifozësh, përfshirë “Briogáid Dearg” (Brigada e Kuqe), “Reds Independent” dhe “The 1895 Trust” – organizata që mbrojnë interesat e tifozëve dhe ndikojnë në vendimmarrjen e klubit. Fanzina “Red Inc.”, që nga viti 1999, është ndër botimet më jetëgjata të këtij lloji në botë.
Rivaliteti më i madh i Shelbourne është me Bohemians, me të cilët ndajnë një distancë prej vetëm një milje. Ky derbi i Dublinit mbart një histori të gjatë që nga koha e ligës së vjetër irlandeze. Klubi ka gjithashtu përplasje tradicionale me St Patrick’s Athletic dhe Shamrock Rovers, ndërsa një pjesë e tifozëve mbajnë lidhje miqësore me klubet Brøndby (Danimarkë) dhe Roma (Itali).
                        
                
                            
                            
                
                            
                            
                            
                            
                            
                            
                            
                            