Skuadra kampione e Kosovës në futsall, FC Prishtina 01, është kualifikuar për herë të dytë në fazën elitare të UEFA Futsal Champions League, duke siguruar vendin në mesin e 16 më të mirave të Evropës.
Ky sukses historik u vulos pas fitores dramatike të djeshme në Makarska ndaj skuadrës vendase dhe kampione të Kroacisë, Novo Vrijeme, me rezultat 7-6. Me këtë fitore, FC Prishtina 01 e siguron kalimin në Elite Round për herë të dytë brenda tre viteve – një arritje që më parë në një rast e kishte realizuar edhe ish-skuadra Fenix.
Nesër, ekipi zhvillon ndeshjen e tretë dhe të fundit të kësaj faze, përballë favoritëve të grupit, Kairat nga Kazakistani. Ndeshja luhet nga ora 17:00.
Shorti për fazën e 1/8-ës së finales do të hidhet më 6 nëntor, ndërsa duelet vajtje-ardhje zhvillohen më 25 nëntor dhe 5 dhjetor.
Ky është një tjetër kapitull i madh në historinë e re të futsallit kosovar, duke dëshmuar rritjen dhe konkurrueshmërinë në arenën ndërkombëtare.