Hysaj: Sikur e kemi në gjak, pa vuajtje nuk bëjmë dot asgjë, Sylvinho: Ndeshje e vështirë, por krenar për lojtarët

Kombëtarja
Kombëtarja

Mbrojtësi i kombëtares shqiptare, Elseid Hysaj, është shprehur i lumtur për fitoren ndaj Letonisë, por ka pranuar se skuadra e kishte vështirësuar vetë ndeshjen për shkak të mungesës së qetësisë para portës.

“Tani të gjithë dinë të luajnë futboll. Po të kishim shënuar rastet që patëm, do të ishim shumë më të qetë”, deklaroi Hysaj pas ndeshjes. “Sikur e kemi në gjak që pa vuajtje nuk arrijmë asgjë.”

I pyetur për rolin e tij në skuadër, Hysaj theksoi se është gjithmonë i gatshëm për Kombëtaren, pavarësisht minutave në fushë:

“Unë gjithmonë vij për të luajtur, si fëmijë i vogël e kam pasur këtë dëshirë, por trajneri është ai që vendos kur të luaj apo jo. Vendimet e tij gjithmonë do t’i respektoj.”

Në fund, mbrojtësi i Lazios nënvizoi rëndësinë e përgatitjes për ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë:

“Dua të marrim sa më shumë minuta në kampionat, që të jemi sa më të përgatitur për përballjen në Serbi.”

Sylvinho pas fitores me Letoninë: “Ndeshje e vështirë, por krenar për lojtarët”

Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka vlerësuar fitoren 1-0 ndaj Letonisë si një sfidë të vështirë, duke theksuar forcën fizike të kundërshtarit dhe nevojën për qetësi në menaxhimin e ndeshjes.

“Lujuam një ndeshje shumë të vështirë, por edhe Letonia e tregoi forcën e saj ndaj Serbisë, ku mund të arrinte të marrë një barazim”, tha ai. “Janë një kundërshtar fizikisht shumë të fortë dhe nëse nuk u shënon, ata mund të të ndëshkojnë.”

Sylvinho pranoi se letonët ishin të rrezikshëm sidomos në duelet ajrore: “E kemi vënë re se Letonia krijon rrezik me pak raste, sidomos në ajër. Pajtohem që Kumbulla mund të ishte futur më herët në lojë.”

Sa i përket zgjedhjeve taktike, ai sqaroi vendimin për të përfshirë Bajramin në formacion: “Në 11-shen titullare vendosëm për Bajramin, sepse është një lojtar ‘hibrid’, që mund të depërtojë mes linjave.”

Për Brojën, Sylvinho u shpreh se, ndonëse nuk është një “numër 9” klasik, ai mbetet i rëndësishëm për mënyrën se si shfrytëzon hapësirat: “Ka pasur disa kundërsulme dhe mundësi në pjesën e dytë. Ka pasur pak minuta me klubet, por gjithsesi jep shumë në fushë.”

Në përfundim, tekniku brazilian u shpreh krenar për grupin: “Jam shumë krenar për lojtarët. Jemi stërvitur 10 ditë rresht për këto ndeshje, përfshirë edhe atë ndaj Gjibraltarit.”

Lidhur me ndeshjen e ardhshme ndaj Serbisë, Sylvinho shtoi: “E kam parë ndeshjen Letoni-Serbi, por për përgatitjen e duhur do të merrem seriozisht gjatë muajit tetor.”