Kampioni Olimpik Kianoush Rostami debuton për Kosovën në Botërorin e Peshëngritjes

Kianoush Rostami
Kianoush Rostami

Kampioni olimpik i peshëngritjes, Kianoush Rostami, do të zhvillojë nesër (e enjte) debutimin e tij zyrtar me flamurin e Kosovës në Kampionatin Botëror të Peshëngritjes, që po mbahet në Forde të Norvegjisë.

Rostami do të garojë në kategorinë deri në 94 kg, me garën që nis nga ora 19:30. Ai ka zgjedhur të përfaqësojë Kosovën nga fillimi i vitit 2025, pas mosmarrëveshjeve të vazhdueshme me Federatën e Peshëngritjes së Iranit, vend që e ka përfaqësuar deri në vitin 2022.

Me një karrierë të pasur ndërkombëtare, Rostami është një nga emrat më të suksesshëm të këtij sporti. Ai është kampion olimpik i Rio 2016 dhe nënkampion i Londrës 2012, si dhe fitues i tri medaljeve botërore – dy të arta dhe një të argjendtë.

Bazuar në rezultatet dhe përvojën e tij, peshëngritësi tashmë kosovar shihet si një kandidat serioz për të fituar një medalje botërore nën flamurin e Kosovës.