Pas dorëheqjes së trajnerit Burim Qerkini disa ditë më parë, drejtimin e FC Dinamo Ferizaj e ka marrë prishtinasi Leotrim Krasniqi, i cili u prezantua zyrtarisht nga drejtuesit e klubit dhe ka zhvilluar sot seancën e parë stërvitore me skuadrën.
Dinamo ka nisur kampionatin në Ligën e Parë të Kosovës me dy fitore dhe tre barazime në pesë javët e para. Edhe pse rezultatet nuk ishin alarmante, duket se brenda klubit kanë ndodhur zhvillime të brendshme që ende nuk janë bërë publike. Dorëheqja e Qerkinit u shoqërua me një deklaratë ironike në adresë të Kërlaçkit: “Pesë ndeshje pa humbje? Më mirë të ikim më herët.”
Pavarësisht lëvizjeve, Dinamo mbetet një prej skuadrave më të qëndrueshme të viteve të fundit në Ligën e Parë, duke qenë vazhdimisht në pjesën e sipërme të tabelës. Me emërimin e Krasniqit, klubi synon të rikthejë stabilitetin dhe të ruajë vazhdimësinë e rezultateve pozitive.
Sfida e parë për trajnerin e ri do të jetë këtë të shtunë ndaj skuadrës 2 Korriku, në një përballje që zhvillohet në Prishtinë.
Krasniqi u shpreh optimist për sfidën e re:
“Te Dinamo është bërë një punë e mirë në vitet e fundit. Është një klub ambicioz dhe me objektiva të qarta. Do të punojmë shumë që klubi të jetë në ngritje të vazhdueshme.”