Me Fatjon Bunjakun, Elbasani investon për të ardhmen – blerje për ta shitur në të ardhmen

Fatjon Bunjaku në aksion me Elbasanin

Pas rikthimit në elitën e futbollit shqiptar, Elbasani ka vendosur të ecë me hapa të menduar drejt një ndërtimi të qëndrueshëm.

Synimi nuk është thjesht mbijetesa në Superiore, por ndërtimi i një klubi që funksionon sipas standardeve të futbollit modern – dhe afrimi i sulmuesit Fatjon Bunjaku është dëshmia më konkrete për këtë.

Transferim me kosto të lartë për realitetin shqiptar

Për të siguruar shërbimet e Bunjakut, Elbasani ka shpenzuar 50 mijë euro – një shumë që rrallëherë paguhet në tregun vendas, veçanërisht nga një klub që vetëm dy vite më parë nuk ishte pjesë e elitës. Kartoni i sulmuesit u ble nga Malisheva, ndërsa klubi ynë ka mbajtur 50 përqind të të drejtave, duke ndërtuar një marrëveshje me logjikë afatgjatë. Një praktikë që haset më shpesh në ligat e konsoliduara sesa në futbollin shqiptar.

Ky investim nuk është vetëm për kontributin sportiv të lojtarit në fushë, por edhe për filozofinë e re të Elbasanit – atë të një klubi që jo vetëm konkurron për rezultate, por edhe zhvillon dhe menaxhon vlerë.

Nëse Bunjaku shpërthen, Elbasani jo vetëm që fiton në aspektin sportiv, por mund të përfitojë edhe financiarisht përmes një shitjeje të ardhshme.

Drejt një modeli të qëndrueshëm

Deri tani, Elbasani nuk ka realizuar ende shitje zyrtare të lojtarëve të vet, por duket se ky është hapi i radhës në strategjinë e re. Drejtuesit po përgatiten për një fazë të dytë – atë të përfitimit nga tregu i transferimeve.

Nëse ndonjë nga afrimet e kësaj vere, sidomos lojtarët me profil ndërkombëtar, arrin të bjerë në sy, mund të shohim edhe të ardhurat e para të konsiderueshme nga shitjet.

Fatjon Bunjaku në aksion me Elbasanin

Rasti “Bunjaku” nuk është një episod i izoluar – është një sinjal i qartë që Elbasani nuk e sheh më veten si një klub sezonal, por si një strukturë me vizion afatgjatë. Futbolli shqiptar ka nevojë për klube të tilla.