As Duro, as Krasniqi, Qatip Osmani kryetrajner i ri i Malishevës: jep lajmin redaktori i sportit në Kanal 10

Qatip Osmani
Qatip Osmani

Malisheva ka kryer marrëveshjen me Qatip Osmanin si kryetrajnerin e ri të skuadrës, duke befasuar opinionin sportiv pas një serie negociatash me disa emra të njohur të futbollit shqiptar. Lajmin e ka bërë të ditur redaktori i sportit në Kanal 10, Lorik Gashi.

Pas largimit të Bekim Isufit, Malisheva kishte vënë në shënjestër disa kandidatë për pankinën, mes tyre Leotrim Krasniqin nga Prishtina, Shpëtim Duron nga Shqipëria dhe Alban Dragushën, aktualisht trajner i Ramiz Sadikut.

Osmani është një emër i njohur në futbollin shqiptar e atë të Maqedonisë së Veriut. Ai ka drejtuar më herët Shkëndijën e Tetovës, Strugën dhe Vllazninë e Shkodrës. Pikërisht te Vllaznia, pati zëra se kompetencat kryesore në skuadër i kishte drejtori sportiv i asaj kohe, Tefik Osmani, megjithatë Qatipi njihet për qetësinë, profesionalizmin dhe korrektësinë e tij në menaxhimin e skuadrave.

Karriera e tij më e spikatur ka qenë me Shkëndijën, ku si ish-futbollist dhe më pas trajner, arriti të fitojë tre tituj kampioni dhe të lërë gjurmë në historinë e klubit.