
Trajneri i përzgjedhur si më i miri i EuroBasket 2025, Ergin Ataman, foli i zhgënjyer pas humbjes dramatike të Turqisë në finale ndaj Gjermanisë me rezultatin 83-88. Për skuadrën turke kjo ishte finalja e dytë në histori dhe medalja e dytë e argjendtë, pas asaj të vitit 2001 në Stamboll kundër ish-Jugosllavisë.
“Jemi të tronditur dhe shumë të trishtuar për këtë humbje. Megjithatë, i uroj Gjermanisë titullin e kampionit. Ishte një ndeshje e fortë dhe të dyja skuadrat mund të kishin fituar, por e humbëm vetëm në minutat e fundit. Jam krenar për lojtarët dhe stafin teknik, dhe shpresoj që publiku e ka shijuar mënyrën si kemi luajtur”, – tha Ataman.
Turqia shënoi kështu medaljen e parë europiane jashtë territorit të saj, pas finales së vitit 2001 në Stamboll dhe medaljes së argjendtë të fituar si pritëse në Botërorin 2010.
I pyetur për episodet vendimtare të ndeshjes, Ataman u shpreh i prerë:
“Nuk më pëlqen të komentoj vendimet individuale të lojtarëve. Ndeshja ka përfunduar. Şengün vendosi të godasë dhe nuk kam çfarë të shtoj.”
Në fund, trajneri pranoi se zhgënjimi i madh nuk i lë hapësirë reflektimit:
“Sa herë që humbas, nuk shoh gjëra pozitive. Ndoshta nesër do të jem në gjendje të flas ndryshe, por sot gjithçka duket e errët. Humbëm një ndeshje që e kishim në dorë.”