
Në një përballje epike mes dy skuadrave të pamposhtura deri tani, Gjermania dhe Turqia do të luftojnë për titullin e kampionit të EuroBasket 2025, të dielën në mbrëmje në Riga. Gjermanët synojnë të bëhen kampionë të dyfishtë – botërorë dhe evropianë – ndërsa turqit kërkojnë trofeun e parë në historinë e tyre. Basketbollistët e Atamanit, me një rotacion të shkurtër, por të jashtëzakonshëm, kanë treguar disiplinë taktike dhe shpërthime individuale, ndërsa Schröder dhe Ibrahimagić theksuan se forca e Gjermanisë qëndron në unitetin dhe stilin unik të lojës së tyre, duke premtuar një përballje të denjë për një finale.
Gjermania e bashkuar dhe me vetëbesim, gati për lavdi
Zëvendës-trajneri Alan Ibrahimagiç, që ka udhëhequr Gjermaninë në mungesë të Aleksa Mumbrú, tha:
“Jemi të emocionuar dhe mezi e presim ndeshjen. Këto janë dy skuadra që kanë bërë turne të shkëlqyer dhe me meritë janë në finale. Kualiteti i lojtarëve tanë, vetëbesimi dhe fryma e ekipit janë avantazhet tona më të mëdha.”
I pyetur për kundërshtarin, ai shtoi:
“Turqia po luan një turne të jashtëzakonshëm. Kanë një lider si Alperen Şengün, janë efikasë në gjuajtje dhe do të jetë një ndeshje shumë e vështirë.”
Ylli gjerman Dennis Schröder, që po udhëheq ekipin me ritëm prej MVP-je, tha:
“Kjo është një mundësi e madhe për të shkruar historinë e basketbollit gjerman. Stili ynë i lojës është unik, me ritëm të lartë dhe intensitet në të dyja fazat. Nëse luajmë 40 minuta në maksimum, do të jetë shumë e vështirë të na ndalojnë.”
Turqia e Atamanit, një makinë e përsosur me vetëm 8 lojtarë
Në anën tjetër, Ergin Ataman po e drejton Turqinë me një filozofi të qartë dhe të palëkundur – rotacion i shkurtër, role të përcaktuara dhe besim absolut te yjet. Ai ka përdorur kryesisht vetëm tetë lojtarë në turne, duke ndërtuar një grup të fortë rreth Şengün, Larkin, Osman dhe Osmani.
Në gjysmëfinale kundër Greqisë, Ercan Osmani shkëlqeu me 28 pikë, 6 kërcime, 2 asistime dhe 2 topa të vjedhur, duke përmbysur gjithçka dhe barazuar rekorde historike. Edhe pse Şengün kishte një nisje të dobët (0/8 nga fusha), forca e grupit i dha hapësirë të rikuperohej.
“Edhe kur nuk është dita e dikujt, ka gjithmonë dikë tjetër që del përpara. Kjo është fuqia jonë”, thotë Ataman.
Shane Larkin është dirigjenti i lojës me mesatarisht 31.2 minuta, 11.4 pikë, 4.6 asistime, ndërsa Cedi Osman dhe Şengün kanë gjithashtu statistika mbresëlënëse që e bëjnë Turqinë një skuadër të frikshme.
Ataman, i relaksuar dhe karizmatik si gjithmonë, është parë të shëtisë nëpër qytet dhe të shkrepë foto me tifozët edhe një ditë para finales – një sinjal se Turqia ndodhet aty ku e kishte ëndërruar.