Joao Felix befasoi me klubin e ri – ndryshoi mendje në sekondën e fundit

Joao Felix
Joao Felix

Joao Felix ka befasuar opinionin sportiv me vendimin e tij të fundit. Sulmuesi portugez është transferuar te Al Nassr, duke ndryshuar destinacion në momentin e fundit, raportoi gazetari i njohur Fabrizio Romano, përcjellë Kërlaçki. Marrëveshja është përfundimtare, një transferim i përhershëm nga Chelsea për një shumë fillestare prej 30 milionë eurosh, me klauzola shtesë dhe përqindje nga shitja e ardhshme.

Felix ka marrë tashmë lejen për të udhëtuar drejt Arabisë Saudite për testet mjekësore dhe firmosjen e kontratës, ku do të luajë krah Cristiano Ronaldos te Al Nassr. Deri pak ditë më parë, gjithçka dukej e vendosur që ai të rikthehej te Benfica, me mediat portugeze që raportonin se ai ndodhej në Lisbonë duke pritur zyrtarizimin. Por, me ndërhyrjen e klubit saudit, gjithçka ndryshoi në çast.

Felix, që nuk arriti asnjëherë të përmbushë pritjet si “yll botëror”, ishte investimi më i shtrenjtë në historinë e Atletico Madridit – me 126 milionë euro të paguara ndaj Benficës në korrik 2019. Por rrugëtimi i tij nuk shkëlqeu: i huazuar më pas te Chelsea, Barcelona dhe Milani, në asnjë prej tyre nuk arriti të lërë gjurmë të forta.

Në gjysmën e dytë të sezonit të kaluar ai ishte pjesë e Milanit, ku në 23 ndeshje shënoi vetëm 3 gola dhe regjistroi 1 asist. Pas kthimit në Chelsea, ai nuk ishte më në planet e klubit. Për kombëtaren portugeze, Felix ka 45 paraqitje dhe 9 gola, ndërsa vlera e tij aktuale në treg sipas Transfermarkt është 20 milionë euro.

Felix asesi të bëhet rehat… apo më në fund po “rehatohet”?
Kalimi në Arabinë Saudite mund të jetë fundi i presionit evropian për të dhe një fillim i ri në kushte të tjera – me më pak zhurmë, por me shumë më shumë luks.