
Prishtina del me një barazim të vlefshëm nga përballja në Irlandën e Veriut ndaj Larne, duke mbyllur ndeshjen pa gola (0-0). Portieri Ardit Nika ishte figura kyçe, me disa ndërhyrje vendimtare që mbajtën skuadrën në lojë.
Pavarësisht disa rasteve të pastra, sidomos në pjesën e dytë, prishtinasit nuk arritën ta konkretizojnë dominimin e pjesshëm të tyre, sidomos në pjesën e dytë. Loja pati ritëm dhe tension, me disa ndëshkime dhe kërkesa për penallti, por në fund të dy skuadrat u ndanë pa fitues, duke lënë gjithçka të hapur për ndeshjen e kthimit.
Ngjarjet më të rëndësishme
Përfundon ndeshja, ekipi që kalon tutje vendoset në ndeshjen e kthimit pas një jave në “Fadil Vokrri”.
76′ – Vendasit tërhiqen, Prishtina në kërkim të hapësirave: Në këtë fazë të lojës, skuadra vendase është tërhequr në mbrojtje, ndërsa Prishtina po shtyn përpara, duke u përpjekur të gjejë hapësira dhe të shfrytëzojë momentin për të zhbllokuar rezultatin.
69′ – Ndreca afër golit, shpëton mbrojtja vendase: Pas një gabimi të portierit, Ndreca kontrollon topin dhe tenton një parabole, por në çastin vendimtar, një mbrojtës ndërhyn dhe largon topin, duke shmangur një gol të mundshëm për Prishtinën.
67′ – Prishtina rikthehet në lojë, kërkon golin: Pas disa minutash në mbrojtje, Prishtina duket se ka marrë sërish kontrollin e ndeshjes. Skuadra ka iniciativën dhe po shtyn përpara me synimin e qartë për të gjetur golin.
64′ – Dy raste të artë për Prishtinën: Pas një harkimi në zonë, Kryeziu godet me kokë, ndërsa topi rikthehet te Namani, i cili provon sërish. Megjithatë, mbrojtja vendase ndërhyn në momentin e fundit, duke larguar rrezikun. Një moment i shkëlqyer që Prishtina nuk arriti ta konkretizojë.
63′ – Ndryshim në formacionin e Prishtinës: Baftiu lë fushën e lojës, ndërsa në vend të tij futet Ndreca, me qëllim të freskimit të repartit sulmues.
60′ – Ndeshja ngec në mesfushë, Prishtina tërhiqet mbrapa: Pas një ore lojë, Prishtina duket e tërhequr në prapavijë, pa arritur të organizojë aksione sulmuese. Megjithatë, as vendasit nuk po gjejnë hapësira për të rrezikuar, ndërsa loja mbetet e ngjeshur dhe pa raste konkrete.
58′ – Tentativë e vendasve nga distanca: Vendasit provojnë me një gjuajtje nga jashtë zonës, por topi përfundon mbi traversë, pa rrezikuar portën prishtinase.
51′ – Nika reagon sërish me siguri: Pas një harkimi nga goditja e lirë në krahun e djathtë, portieri Ardit Nika ndërhyn me kohë dhe largon rrezikun, duke mbajtur të paprekur portën e Prishtinës.
50‘ Veliu ndëshkohet me karton të verdhë.
46′ – Prishtina kërkon penallti, gjyqtari vazhdon lojën: Në sekondat e para të pjesës së dytë, Kryeziu rrëzohet në zonë, por gjyqtari vlerëson se nuk ka pasur ndërhyrje të rëndë dhe nuk akordon penallti, pavarësisht protestave të lojtarëve prishtinas.
Përfundon pjesa e parë. Prishtina arriti të ruajë portën e paprekur në 45 minutat e para, falë ndërhyrjeve vendimtare të portierit Ardit Nika. Edhe pse vendasit krijuan disa raste të rrezikshme, skuadra prishtinase pati tentimet e veta, përfshirë një rast ideal me Baftiun dhe disa depërtime të rrezikshme nga krahët. Loja u zhvillua kryesisht në mesfushë, me momente tensioni, ku trajneri Arsim Thaçi u ndëshkua me karton të verdhë për protestë.
+3′ – Karton i verdhë edhe për Mujën: Në minutat shtesë të pjesës së parë, Mesfushori Muja ndëshkohet me karton të verdhë, duke u bërë lojtari i dytë i Prishtinës që përfundon në librin e gjyqtarit pas trajnerit Thaçi.
44′ – Karton i verdhë për trajnerin Thaçi: Trajneri i Prishtinës, Arsim Thaçi, reagoi me tension ndaj një vendimi të gjyqtarit dhe u ndëshkua me karton të verdhë për protestë.
43′ – Limani ndëshkohet me të verdhë: Mesfushori Ardian Limani merr karton të verdhë për një ndërhyrje të vonuar, duke shtuar listën e ndëshkimeve për Prishtinën në pjesën e parë.
42′ – Dy rreziqe radhazi për Prishtinën, Nika shpëton portën: Boueye ndërhyn në momentin e fundit për të larguar një pasim të rrezikshëm nga krahu i majtë. Pas ekzekutimit të këndores, vendasit rrezikojnë sërish me një goditje me kokë nga afërsia, por portieri Ardit Nika reagon me vigjilencë, duke shpëtuar portën në një situatë të ngushtë.
37′ – Ndërhyrje vendimtare e Nikës: Portieri Ardit Nika zgjatet dhe ndal një top të harkuar nga e djathta, duke parandaluar një situatë të rrezikshme. Ai tenton ta nisë shpejt aksionin me një pasim përpara, por Veliu nuk arrin ta kapë topin në kohë.
35′ – Nika i sigurt në portë: Portieri i Prishtinës, Ardit Nika kontrollon një top të rrezikshëm që vinte në drejtimin e tij nga sërish, O’Neaill. Edhe pse nuk ishte një gjuajtje e fuqishme, Nika reagoi me siguri, duke treguar qetësi dhe stabilitet në portë.
33′ Loja zhvendoset në mesfushë: Megjithëse vendasit kanë rikthyer posedimin, ndeshja po zhvillohet kryesisht në mesfushë, me të dyja skuadrat që po luftojnë për kontroll pa krijuar rreziqe të drejtpërdrejta në zona të rrezikshme.
31′ – Rrezik nga goditja e dënimit, por Prishtina reagon: Vendasit fitojnë një pozitë të rrezikshme ballore, por shpërdorojnë rastin. Gjuajtja e tyre përfundon drejt në murin mbrojtës të Prishtinës, pa rrezikuar portën.
30′ – Prishtina merr kontrollin e lojës: Pas një fillimi të vakët, skuadra mysafire duket më e sigurt dhe e organizuar. Futbollistët e Prishtinës shfaqin më shumë vetëbesim, duke dalë më shpesh përpara dhe duke kërkuar të dominojnë si topin, ashtu edhe ritmin e lojës.
27′ – Aksion individual i Limanit, por mungon përkrahja në zonë: Ardian Limani depërton mjeshtërisht duke kaluar mes dy-tre futbollistëve kundërshtarë dhe harkon nga e djathta. Topi nuk gjen asnjë bashkëlojtar në zonë dhe portieri vendas ndërhyn me kohë, zgjatet dhe kontrollon topin.
25′ – Dy aksione të shpejta në të dy anët: Vendasit tentojnë me një gjuajtje nga goditja e lirë, por pa sukses. Menjëherë pas kësaj, Prishtina përgjigjet shpejt, me një depërtim nga krahu i majtë. Veliu harkon një top të rrezikshëm në zonë, por pa finalizim.
12′ – Rast ideal për Prishtinën: Gjelbrim Taipi harkon nga krahu i majtë, ndërsa Baftiu godet me kokë nga e djathta. Portieri vendas reagon me sukses dhe e ndal topin, duke penguar avantazhin e mysafirëve
11′ – Nika shpëton gol të sigurt: Portieri i Prishtinës ndal një gjuajtje direkte nga afërsia të sulmuesit vendas O’Neaill, duke ruajtur rezultatin e barabartë.
Në 10 minutat e para, Prishtina arriti të afrohej në zonën kundërshtare vetëm një herë, ndërsa vendasit ishin dukshëm më kërkues. Ata regjistruan një gjuajtje nga distanca që shkoi jashtë portës, por pa rrezik konkret, pavarësisht presionit të vazhdueshëm.