Sllovenia duhet të marrë gjashtë pikë – shkruan Dnevnik

Sllovenia
Sllovenia

Kombëtarja e futbollit të Sllovenisë po përgatitet në Brdo pranë Kranjit për dy ndeshjet kualifikuese të Kupës së Botës kundër Kosovës në Prishtinë dhe Zvicrës në Lubjanë. Nëse skuadra e trajnerit Matjazh Kek dëshiron të mbetet në garë për një vend në Botërorin e vitit të ardhshëm në Amerikën e Veriut, ajo duhet të fitojë të dyja takimet, shkruan e përditshmja sllovene Dnevnik.

Pas humbjes së pikëve në shtator, ku Sllovenia barazoi 2:2 me Suedinë në Stozhice dhe u mund 3:0 nga Zvicra në Bazel, ajo tashmë ndodhet në një pozitë ku nuk ka më hapësirë për gabime. Dy sfidat e radhës janë vendimtare: të premten ndaj Kosovës në Prishtinë dhe të hënën në shtëpi kundër Zvicrës. Për të qëndruar në garë, të paktën për vendin e dytë që çon në “play-off”, Sllovenia ka nevojë për gjashtë pikë – një mision aspak i lehtë.

“Në shtator nuk luajtëm mjaftueshëm mirë për të marrë rezultate më të mira. Nëse nuk përmirësohemi tani, nuk kemi të drejtë të mendojmë për Kupën e Botës”, deklaroi trajneri Kek, që ka nisur përgatitjet në bazën tradicionale të ekipit në Brdo.

Probleme në mbrojtje: Bijol dhe Drkushiç pa minuta

Mungesa e vazhdueshme e minutazhit të disa lojtarëve në klubet e tyre mbetet shqetësim, megjithëse situata është disi më e mirë se në shtator. Zhan Vipotnik është golashënuesi më i mirë i Swanseas në Championship me gjashtë gola, ndërsa Benjamin Sheshko më në fund ka shënuar edhe në Premier League për Manchester United, duke i dhënë shpresë Sllovenisë për rikthimin e tij në formë edhe në kombëtare – ku nuk ka shënuar prej pesë ndeshjesh.

Portieri Jan Oblak, edhe pse nuk e nisi sezonin në mënyrë të shkëlqyer me Atlético Madridin, shkëlqeu në ndeshjen e fundit në Vigo, ku mbrojti pikën në një situatë me një lojtar më pak për më shumë se një pjesë loje.

Megjithatë, shqetësimi më i madh mbetet mbrojtja: Jaka Bijol, zëvendëskapiteni i përfaqësueses, nuk ka luajtur asnjë minutë me klubin e tij të ri, Leeds United.

“Sigurisht që nuk jam i kënaqur me situatën, por e kuptoj. Sezoni është i gjatë, jam gati dhe pres shansin tim”, tha Bijol, duke shtuar se është i etur për ndeshjet me kombëtaren. Edhe partneri i tij në mbrojtje, Vanja Drkušić, ka pasur minuta të pakta me Zenitin në kampionatin rus.

Në formë të mirë ndodhen dy mbrojtësit e krahut, Erik Janzha (kapiten i Gornik Zabrze në Poloni) dhe Zhan Karniçnik (kapiten i Celjes në Slloveni), që po spikasin edhe në garat evropiane.

Mesfusha në vështirësi: Elshnik nën presion, Çerin e humb statusin

Në mesfushë, mungon shpejtësia dhe dinamizmi. Timi Max Elshnik, i cili dështoi të transferohej nga Crvena Zvezda në Turqi, ka nisur të rikthehet në formë, ndonëse po vuan probleme fizike. “Kam disa shqetësime që po zvarriten nga ndeshjet e njëpasnjëshme. Po përpiqemi që të jem gati deri të premten”, u shpreh ai.

Pas humbjes së thellë ndaj Zvicrës, skuadra ka mbajtur disa takime për të analizuar gabimet.

“Përballja me Kosovën është shumë e rëndësishme dhe presioni është më i madh – por kjo nuk është domosdoshmërisht keq. Shpresoj që të reagojmë pozitivisht dhe të rikthehemi me tre pikë. Na duhet agresivitet dhe fuqi fizike. Kosova tregoi cilësi ndaj Suedisë dhe ne nuk kemi më justifikime. Nuk ka rëndësi si fitojmë – rëndësi kanë pikët”, deklaroi Elshnik.

Ndërkohë, Adam Gnezda Çerin ka humbur statusin e titullarit te Panathinaikos, por fundjavën e kaluar shënoi një gol vendimtar që i riktheu besimin. Sandi Lovrić, i dëmtuar në shtator, ka luajtur vetëm 19 minuta për Udinese që prej asaj kohe. As Petar Stojanović nuk po luan rregullisht për Legian në Poloni. Kjo mund të jetë një mundësi për emra të rinj – veçanërisht për Tomi Horvat, që po shkëlqen me Sturm Graz në Austri dhe në Ligën e Europës. Me padurim presin shansin edhe Svit Seshlar, Tamar Svetlin, Dejan Petroviç dhe Daniel Shturm.

Përktheu, Kërlaçki