
Bayer Leverkusen ka udhëtuar drejt Brazilit për fazën përgatitore të sezonit, dhe me skuadrën ka shkuar edhe kapiteni dhe lideri i mesfushës, Granit Xhaka. Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ai do të qëndrojë deri në përfundim të përgatitjeve.
Interes të madh për Xhakën ka shfaqur skuadra e re arabe, Neom, e cila sapo është ngjitur në elitën e futbollit të Arabisë Saudite. Po ashtu edhe Milan, Inter dhe Juventus kishin shprehur dëshirë për mesfushorin shqiptar.
Transferimi i mesfushorit zviceran me prejardhje shqiptare vlerësohet rreth 20 milionë euro, dhe negociatat janë në zhvillim e sipër.

Drejtori menaxhues i Bayer Leverkusen, Simon Rolfes, konfirmoi për “Kicker” se situata është në fazë finale, duke nënvizuar se Xhaka luan një rol të rëndësishëm në skuadër, por një vendim përfundimtar pritet së shpejti.
“Jemi në fazën kur po finalizojmë skuadrën për sezonin e ri. Graniti është pjesë kyçe, por nuk është çështje që do të zgjasë deri në fund të afatit kalimtar. Po hyjmë në një fazë përgatitore dhe priten ndryshime të mëdha. Por në një pikë duhet të kemi skuadrën gati 95 për qind. Një vendim i shpejtë do të merret,” tha Rolfes.