UEFA ka njoftuar sot një ndryshim historik në orarin e finales së Ligës së Kampionëve. Pas shumë vitesh ku ndeshja vendimtare luhej të shtunën në mbrëmje me fillim nga ora 21:00, nga sezoni i ardhshëm finalja do të nisë në orën 18:00.
Sipas UEFA-s, ky vendim ka për qëllim përmirësimin e përvojës së përgjithshme të tifozëve, ekipeve dhe qyteteve organizatore, duke e bërë ngjarjen më të qasshme për familjet dhe fëmijët. “Synimi ynë është që dita e finales të jetë një përvojë e plotë dhe e këndshme për të gjithë, duke krijuar një atmosferë mikpritëse dhe më familjare”, thuhet në komunikatën e UEFA-s.
Kujtojmë se deri në sezonin 2018/19, finalet zhvilloheshin me fillim nga ora 20:45, përpara se të kalohej në orarin 21:00.
Finalja e këtij sezoni do të zhvillohet në Budapest, në “Puskás Arena”, dhe për ndryshimin foli edhe presidenti i UEFA-s, Aleksander Çeferin.
“Me këtë ndryshim, ne e vendosim përvojën e tifozëve në qendër të planifikimit tonë. Një fillim më i hershëm jo vetëm që e bën finalen më të përfshirëse e më të qasshme, por gjithashtu i jep mundësinë tifozëve që pas ndeshjes të vazhdojnë mbrëmjen e tyre me familjen dhe miqtë,” u shpreh Çeferin.
Ai shtoi se orari 21:00 mbetet ideal për ndeshjet gjatë javës, por për një finale të shtunën, ora 18:00 është më e përshtatshme, pasi garanton përfundimin e takimit herët – edhe në rast shtesash apo penalltish.
Në sezonin e ardhshëm të Ligës së Kampionëve do të marrin pjesë klubet më të mëdha të kontinentit, mes tyre: PSG, Real Madrid, Manchester City, Bayern Mynih, Liverpool, Inter, Chelsea, Borussia Dortmund, Barcelona, Arsenal, Bayer Leverkusen, Atletico Madrid, Atalanta, Villarreal, Juventus, Eintracht Frankfurt, Tottenham, PSV, Ajax, Napoli, Sporting, Olympiacos, Slavia Pragë, Bodø/Glimt, Marseille, Monaco, Galatasaray, Union Saint-Gilloise, Athletic Bilbao, Newcastle, Pafos, Kairat, Qarabag, Club Brugge, Benfica dhe Copenhagen.